Statuti

Prishtinë, Janar, 2013

 

Kapitulli I

Dispozitat e Përgjithshme

Neni 1

Themelimi dhe Emri

1.Partia Demokratike e Kosovës është parti demokratike  e themenluar mbi vlerat tradicionale, kombëtare, vlerat e luftës çlirimtare dhe vlerat universale të demokracisë qytetare.

2.Partia Demokratike e Kosovës është themeluar në Kuvendin Themelues të mbajtur me datën 12.10.1999.

3.Emri zyrtar i partisë është Partia Demokratike e Kosovës.

Neni 2

Shkurtesa dhe motoja

1.Shkurtesa zyrtare e partisë është PDK.

2.Motoja e PDK-ës përcaktohet me vendim të veçantë të cilin e miraton kryesia.

Neni 3

Vlerat

1. PDK-ja synon zhvillimin e Kosovës si një vend i lirë dhe demokratik, i bazuar në sundimin e ligjit, në demokracinë kushtetuese dhe parlamentare, në shtet të fortë dhe funksional me ekonomi  të lirë të tregut,  i cili  garanton të drejtat themelore dhe liritë e qytetarëve; respekton vlerat kushtetuese, tradicionale, morale, historike dhe kombëtare; mbron dinjitetin njerëzor, familjën, pronën private, dhe ndërmarrësinë.

2.PDK-ja angazhohet fuqishëm për të afirmuar dhe garantuar lirinë e mendimit, të shprehjes; solidaritetin, barazinë sociale, dhe përgjegjësinë personale të çdo qytetari; parimin e mundësive te barabarta dhe mbrojtjen e vlerave qytetare dhe të diversitetit etnik dhe fetar te shoqërisë.

3.PDK-ja është vazhduese e vlerave të luftës çlirimtare dhe në kontinuitet angazhohet për promovimin e tyre duke forcuar shtetin e Kosovës dhe duke synuar integrimet kombëtare dhe mbrojtjen e të drejtave legjitime shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve shtetërorë të Republikës së Kosovës.

Neni 4

Qëllimi polik dhe vizioni

1.PDK-ja ka për qëllim konkurrimin nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe demokratike, duke respektuar vlerat demokratike dhe parimin e votës së lirë; udhëheqjen dhe forcimin e shtetit ligjor;  integrimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në strukturat euro-atlantike dhe përfaqësimin dinjitoz të saj kudo në botë.

2.Vizioni i PDK është bërja e Kosovës shtet krenar dhe Evropian. Në këtë drejtim PDK synon:

-Kosova një shtet i pavarur, demokratik dhe sovran:

-Kosova një Republikë moderne deokratike e bazuar në parimin e ndajes së pushtetëve, sundimin e ligjit, ndërtimin e një demokracie moderne, sundimin e vlerave kushtetuese, respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të të drejtave të pakicave të garantuara me Kushtetutë, me ligje dhe me konventa ndërkombëtare.

-Të zhvillojë ekonominë e lirë të tregut, përmes parimit të liberalizimit të tregut dhe të konkurrencës së lirë në të.

-Të ndërtojë raporte te partneritetit stragjik me SHBA-në, të integrojë Republikën e Kosovës në Bashkimin Evropian, në Nato, në OKB dhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.

-Të krijojë një sistem të sigurisë kombëtare të qëndrueshëm, profesional dhe efikas, duke bashkëpunuar me Bashkimin Evropian, Nato-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet fqinje dhe me ato te rajonit për të mundësuar një ambient sigurie të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

-Të mbrojë interesat e shtetit dhe të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke respektuar rendin kushtetues, ligjor dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Neni 5

Simbolet

1.Simbolet e PDK janë flamuri, emblema dhe logoja e PDK.

2.PDK ka vulën e saj.

3.Dukja dhe mënyra e përdorimit të tyre rregullohen me rregullore të veçantë, që e nxjerr Kryesia e PDK.

 

Neni 6

Selia

Selia qendrore e PDK është në Prishtinë.

Neni 7

Statusi legal

1.PDK është person juridik me të drejta dhe detyrime që rrjedhin nga ligjet e Republikës së Kosovës.

2.PDK është regjistruar ne regjistrin zyrtar te organizatave politike.

Neni 8

Orientim ideor i PDK

1. PDK ne aspektin ideor është parti e qendres se djathte.

2.PDK  anëtarësohet në asociacione dhe në organizata të tjera politike ndërkombëtare që kanë synime dhe orientime të ngjashme politike dhe programore.

Neni 9

Shtrirja territoriale

1.PDK është e organizuar në bazë të parimit të shtrirjes së gjerë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Shtrirja territoriale arrihet nëpërmjet organeve qendrore dhe lokale të PDK  të cilat janë të përcaktuara me këtë statut.

2.PDK vepron edhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës, përmes organizimit te saj në mërgatë. Mënyra e punës, organizimi dhe veprimi i PDK jashtë Republikës së Kosovës rregullohen me akt të veçantë që e nxjerr Këshilli Drejtues.

Neni 10

Demokracia e brendshme

1. PDK funksionon në bazë të parimit të demokracisë së brendshme, i cili shprehet përmes së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në të gjitha organet e PDK, dhe në bazë të  parimit të votës së barabartë të të gjithë anëtarëve dhe të respektimit të së drejtës për të shprehur dhe  për të promovuar mendimin e kundërt.

2. Secili anëtarë/re i PDK ka të drejtë të shprehë qëndrimet dhe mendimet e veta, por vendimet e marra nga shumica janë të detyrueshme për të gjithë anëtarët/et e PDK.

 

Neni 11

Hierarkia e akteve

1.Akti më i lartë brenda PDK është statuti i saj, të gjitha aktet e tjera duhet të jenë në përputhje me të.

2. Statuti i PDK duhet jetë në pajtim me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Kosovës.

3.Përveç  statutit, PDK mund të nxjerrë edhe këto akte:

a.Rregullore

b.Vendime

c.Udhëzime

d.Rekomandime

Aktivitetet jashtëpartiake

Neni 12

PDK, përveç aktiviteteve partiake, në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet në fuqi, organizon veprimtari shoqërore, politike  e ekonomike, klube, forume, institute dhe organizime studimore me qëllim të përfitimeve të saj. Të gjitha veprimtaritë e PDKjanë publike, me përjashtim kur përcaktohet ndryshe me statut ose me ndonjë akt tjetër, kjo vlen si brenda ashtu edhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Kapitulli II

Anëtarësia

Parimet e përgjithshme

Neni 13

PDK është e hapur për anëtarësim për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë mbushur moshën 16 vjeçare. Anëtarësimi duhet të jetë i bazuar në  vullnetin  e vetë qytetarëve.

 

 

 

Kushtet e anëtarësimit

Neni 14

1.Për të fituar statusin e anëtarit të PDK duhen plotësuar këto kushte:

a.Secili i anëtarësuar duhet të ketë mbushur moshën 16 vjeçare,

b.Të pranojë kushtet e anëtarësimit,

c.Të bëjë anëtarësimin individual,

d.Të mos jetë anëtar i ndonjë organizate tjetër  të cilën organet e PDK e vlerësojnë se është në kundërshtim me qëllimin dhe me vizionin e PDK të përcaktuara me këtë statut.

2.Anëtari i PDK duhet të mbrojë dhe të promovojë politikat e PDK në të gjitha format e organizimit dhe të veprimit politik.

Procedura e anëtarësimit

Neni 15

1.I interesuari për anëtarësim, mund të anëtarësohet pasi të këtë plotësuar dhe  të ketë dorëzuar formularin për anëtarësim.

2.Formulari për anëtarësimin mund të dorëzohet në  seksion, në nëndegë,  në degë, në ëeb faqen zyrëtare, ose në selinë qendrore të PDK.

3.Për pranimin e anëtarit në PDK, vendos Kryesia e seksionit ose Kryesia e nëndegës brenda dy javësh nga aplikimi. Pranimin e aprovon kryesia e nëndegës në mbledhjen e parë të ardhshme.
4.Anëtari i pranuar pajiset me kartelën e anëtarësisë dhe evidentohet në regjistrat e anëtarësisë së seksionit.
5. Në rast të refuzimit të kërkesës për pranim, aplikanti ka të drejtë të ankohet në kryesinë ePDK. Vendimi i kryesisë është përfundimtar.
6.Çdo anëtar i PDK duhet të jetë anëtar i një seksioni ose nëndege.

Të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve

Neni 16

1.Secili anëtar i PDK ka këto të drejta dhe obligime:

1.Të marrë pjesë në përcaktimin dhe në realizimin e politikës partiake;
2.Të ndërmarrë nisma që janë në pajtim me Statutin dhe Programin e PDKdhe t'ua prezantojë organeve vendimmarrëse;
3.Të zgjedhë dhe të zgjedhet në organet e PDK;
4.Të propozohet si kandidat i PDK në listat zgjedhore për zgjedhje lokale apo të nacionale;
5.Të jetë i informuar për punën e organeve të PDK;

 6.Të marrë pjesë në aktivitetet përkatëse te PDK;
7.Të realizojë të drejtat dhe të përmbushë obligimet e tjera të parapara me Program, me Statut dhe me akte e vendime të tjera.

Humbja e statusit të anëtarit

Neni 17

1.Anëtari i PDK humb statusin e anëtarit në këto raste:

a.Me dorëheqje nga anëtarësia,

b.Në rast përjashtimi nga ana e organeve të PDK,

c. Nëse ai/ajo vdes,

2.Në momentin e humbjes së statusit të anëtarit,  duhet të dorëzojë librezën e anëtarësisë.

3.Kërkesa për dorëheqje nga anëtarësia i drejtohet kryesisë së seksionit apo kryesisë së nëndegës.

4.Pas përjashtimit ose tërheqjes së anëtarit/es, largimi evidentohet ne regjistrat bazë të PDK.

5.Kompetent për përjashtimin e anëtarit nga PDK është organi që e ka pranuar. Anëtari mund të përjashtohet me vendim. Anëtarit të përjashtuar i dorëzohet vendimi me shkrim, menjëherë pas nxjerrjes së tij.

6.Anëtari i përjashtuar me vendim,  mund të ankohet në organet qendrore të PDK, përkatësisht në Këshillin Drejtues ose në Kryesinë e PDK, në afat prej 8 (tetë) ditësh nga momenti i marrjes së vendimit.

Pagesa e anëtarësisë

Neni 18

1.Çdo anëtar duhet të paguajë anëtarësinë.
2.Shuma e anëtarësisë përcaktohet me vendim të Kryesisë.

 

 

Mbështetësit dhe simpatizantët

Neni 19

1.Në veprimet e PDK-së mund të marrin pjesë dhe të bashkëpunojnë edhe simpatizuesit dhe mbështetësit e PDK, të cilët sipas thirrjes mund të marrin pjesë edhe në mbledhjet e organeve dhe të trupave punuese, por pa të drejtë të vendosjes.

2.Simpatizues i PDK konsiderohet secili që pajtohet me Programin e PDK dhe i jep përkrahje politikës së saj, edhe pse nuk është anëtar formal i saj.

3.Mbështetës të PDK konsiderohen personat fizik dhe juridik, që veç kuotizacionit, japin kontribute, ndihma dhe mjete materiale për punën e PDK.

4.Simpatizuesit dhe mbështetësit e PDK mund të kandidohen në listat e PDK në zgjedhjet e të gjitha niveleve.

5.Përposos evidencës së anëtarëve të rregullt, organet e PDK mbajnë edhe evidencën e simpatizuesve dhe mbështetësve të saj.

 

Kapitulli III

Organizimi i PDK-së

Organet dhe mandati

Neni 20

1.PDK është e organizuar në organe qendrore dhe lokale.

2.Organe qendrore të PDK janë:

a.Konventa e përgjithshme,

d.Kryetari,

b.Këshilli drejtues-KD,

c.Kryesia,

e.Asambleja Kombëtare-AK,

3.Mandati i të gjitha organeve të PDK është katër (4) vjet.

4.Organet lokale janë:

a.Seksioni

b.Nëndega

c.Dega

Seksioni

Neni 21

1.Seksioni është njësia më e vogël e organizimit të PDK, që organizohet mbi baza lagjeje, vendvotimi ose lokaliteti të caktuar.

2.Seksioni përbëhet nga:

a.Kuvendi i seksionit

b.Kryesia

c.Kryetari

3.Kuvendin e seksionit e përbëjnë të gjithë anëtarët e seksionit.

4.Kryesia e seksionit ka më së paku 5 anëtarë.

5.Kryetarin e seksionit e zgjedh kryesia e seksionit.

6.Mbledhjet e seksionit thirren nga kryesia e tij.

7.Për themelimin dhe shuarjen e seksioneve vendos kryesia e degës përkatëse.

Nëndega

Neni 22

1.Nëndega është njësia e mesme e organizimit të PDK dhe përbën urën lidhëse në mes të seksioneve dhe degës.

2.Varësisht nga anëtarësia dhe numri i seksioneve, nëndega përbëhet nga së paku dy seksione.

3.Organet e nëndegës janë:

a.Kuvendi i nëndegës;

b.Kryesia e nëndegës;

c.Kryetari i nëndegës;

4.Delegatët e kuvendit të nëndegës delegohen nga seksionet.

5. Kryetarin e nëndegës e zgjedh kryesia e saj.

6. Kryetari dhe kryesia e nëndegës zgjedhen me vota të fshehta.

7.Kryesia e nëndegës ka 7 (shtatë) anatërë.

8. Organizimi dhe puna e nëndegës rregullohen me rregullore të veqantë të veçantë.

9. Kryesia e nëndegës është kompetente për të vendosur për kontaktet me anëtarë të partisë, për gjendjen e partisë në terren, për marrjen e masave disiplinore ndaj secilit anëtar të partisë.

Dega

Neni 23

1.Dega është forma më e lartë e organizimit në nivel lokal të PDK.

2.Organ kompetent për themelimin e degës është Kryesia e PDK.

3.Dega është përgjegjëse për organizimin dhe funksionimin e seksioneve dhe të nëndegëve të PDK.

4.Organet e degës janë:

a.Kuvendi i degës;

b.Këshilli drejtues i degës;

c.Kryesia e degës;

d.Kryetari i degës.

Procesi zgjedhor në degë

Neni 24

1.Kuvendi i degës përbëhet nga anëtarët e secilës nëndegë të cilët delegohen nga nëndega përkatëse. Numri i anëtarëve të deleguar përcaktohet me akt të veçantë të kresisë së degës.

 2.Kuvendi i degës, me votim të fshehtë, zgjedh anëtarët e këshillit drejtues të degës. Këshilli drejtues i degës ka 31 deri në 91 anëtarë. Procedurat dhe mënyra e funksionimit  të këshillit drejtues të degës përcaktohen me akt të veçantë i cili miratohet nga Këshilli Drejtues i PDK.

3.Këshilli drejtues i degës me votim të fshehtë zgjedh anëtarët e kryesisë së degës. Kryesia e degës ka 15 deri në 31 anëtarë. Procedurat dhe mënyra e funksionimit të kryesisë përcaktohen me akt të veçantë i cili miratohet nga Këshilli Drejtues i PDK.

3.Kryetari i degës zgjedhet nga këshilli drejtues i degës me votim të fshehtë.

4.Të drejtë për të paraqitur kandidaturën për kryetar të degës kanë të gjithë anëtarët e degës përkatëse. Kandidaturat për kryetar të degës për të qenë valide domosdoshmërisht duhet të marrin pëlqimin nga kryetari dhe nga kryesia e PDK.

5.Kryetari i RD-së së degës dhe kryetarja e GD të degës, sipas detyrës zyrtare, janë anëtar të kryesisë së degës.

6.Procesi zgjedhor në degë rregullohet me akt të veçantë që nxirret nga KD-ja.

Detyrat e kryetarit të degës

Neni 25

1.Kryetari i degës ka këto detyra:

a.Përfaqëson anëtarësinë e PDK në territorin përkatës;

b.Thërret dhe drejton mbledhjet e kryesisë;

c.Është përgjegjës për zbatimin e politikave te përgjithshme të PDK në nivel të degës;

d.Është përgjegjës për mbarëvajtjen e punëve të partisë në territorin përkatës;

e.Së bashku me kryesinë e degës për nevoja të PDK në degën përkatëse, krijon grupe ekspertësh për çështje të caktuara profesionale, në të cilat mund të marrin pjesë edhe njerëz që nuk janë anëtarë të PDK.

f.Në koordinim me kryesinë e degës të mbajnë aktive degën, duke mbajtur aktivitete, organizime, forume, tryeza edhe jashtë aktiviteteve të fushatës zgjedhore.

Kryesia e degës

Neni 26

1. Kryesia e degës udhëheqë  punën e partisë në degë.

2.Kryesia e degës ka këto kompetenca:

a. Mobilizmin e strukturave të degës,

b. Organizimin e aktiviteteve partiake të degës,

c. Organizimin e procesit zgjedhor në degën përkatëse,

d. Një herë në vit i raporton keshillit drejtues të degës për mbarëvajtjen e punëve të degës, përmes një raporti me shkrim.

Raportimi i degëve

Neni 27

1.Kryesitë e degëve çdo tre muaj i dërgojnë raport me shkrim Kryesisë Qendrore të PDK, për mbarëvajtjen e punëve në degë, duke përfshirë gjendjen politike në degë, të hyrat dhe të dalat në degën përkatëse, aktivitetin dhe numrin e anëtarëve.

2.Kryesitë e nëndegëve çdo tre muaj i raportojnë kryesisë dhe këshillit drejtues të degës përkatëse, për gjendjen në nëndegët e tyre. Raporti dorëzohet në formë të shkruar.

3.Kryetari i degës, për punën e tij, dy herë në vit është i obliguar t’i raportojë kryetarit dhe Kryesisë së PDK-së.

Administrata

Neni 28

1.Me miratimin e kryetarit të degës, bazuar në mundësitë financiare të PDK, krijohet shërbimi administrativ  i cili është përgjegjës për funksionimin në baza ditore të degës. Mënyra e funksionimit të këtij shërbimi rregullohet me akt të veçantë i cili miratohet nga Këshilli Drejtues i PDK. Personelin e shërbimit administrativ, është kompetente ta  emërojë dhe ta shkarkojë kryesia e degës përkatëse.

Situatat e jashtëzakonshme në funksionimin e degës

Neni 29

1.Në rast të paraqitjes së rrethanave të jashtëzakonshme dhe të mosmarrëveshjeve të cilat pamundësojnë funksionimin e degës përkatëse, kryesia e PDK me vendim, pas konsultimit me kryetarin PDK, mund ta shpërbëjë degën dhe të caktojë një udhëheqje të re të përkohshme deri ne mbajtjen e kuvendit te jashtzakonshëm ne nivel te degës.

Kapitulli IV

Organet Qendrore

Konventa e Përgjithshme

Neni 30

1.Konventa e Përgjithshme e PDK është organi më i lartë.

2.Konventa e Përgjithshme mbahet në sesione të rregullta dhe të jashtëzakonshme.

3.Sesioni i rregullt i punës së Konventës se Përgjithshme mund të jetë:

a.Sesion pune,

b.Sesion zgjedhor.

3.Sesioni i punës së Konventës së Përgjithshme mbahet çdo dy vjet, kurse ai zgjedhor  çdo katër vjet.

4.Sesionin zgjedhor të Konventës së Përgjithshme e thërret Këshilli Drejtues i cili cakton edhe datën, kurse atë të punës e thërret Kryesia.

Përbërja e Konventës së Përgjithshme

Neni 31

1.Nunri i delegatëve për Konventën e Përgjithshme caktohet me rregullore të veçantë.

2.Konventa e Përgjithshme përbëhet nga këto kategori:
a.Delegatë të zgjedhur përpjesëtimisht me numrin votave të fituara në zgjedhjet e fundit;

b.Anëtarët e Kryesisë së PDK-së,
c.Anëtarët e Këshillit Drejtues të PDK-së,
d.Ministrat nga radhët e PDK-së,
e.Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së.

f.Kryesia e RDK-së në nivel qendror,

g.Kryesia e gruas në nivel qendror.

Puna e Konventës së Përgjithshme

Neni 32

1.Mënyra e punës së Konventës së Përgjithshme përcaktohet me rregullore të veçantë, i cili miratohet nga Konventa.

2.Për datën e mbajtjes së Konventës së Përgjithshme, delegatët njoftohen 45 ditë përpara.

3.Rendi i ditës së Konventës së Përgjithshme përcaktohet nga Kryesia.

4.Të gjitha shkresat, kërkesat, ankesat që vijnë nga organet e PDK për t’u futur në rend dite në Konventë, duhet t’i dorëzohen Kryesisë së PDK më së largu dy javë para mbajtjes së Konventës së Përgjithshme.

5.Kërkesat, ankesat dhe shkresat e tjera që nuk e respektojnë afatin nga pika 4, mund të futen pjesë e rendit të ditës me një vendim të veçantë të Konventës së Përgjithshme.

6.Konventa e Përgjithshme zhvillon punimet e të gjitha sesioneve pa përjashtim, nëse prezent janë më shumë se gjysma e delegatëve.

7.Vendimet në Konventën e Përgjithshme merren me shumicën e votave të delegatëeve të pranishëm.

Sesioni i jashtëzakonshëm i Konventës së Përgjithshme

Neni 33

1.Sesionin e jashtëzakonshëm të Konventës së Përgjithshme e thërrasin:

a.Sesioni i punës së Konventës se Përgjithshme,

b.Këshilli Drejtues-KD-ja,

c.Kryesia,

d.1/3 e delegatëve të Konventës së Përgjithshme.

e.1/3 e degë,

f.kryetari.

2.Për mbajtjen e sesionit të jashtëzakonshëm te Konventës se Përgjithshme, delegatët njoftohen 2 javë përpara.

3.Rendin e ditës për sesionin e jashtëzakonshëm të Konventës se Përgjithshme e cakton Kryesia e PDK sipas propozimit të propozuesve.

4.Materialet për sesionin e jashtëzakonshëm u dërgohen delegatëve 3 ditë përpara sesionit.

Kompetencat e Konventës së Përgjithshme

Neni 34

1. Konventa e Përgjithshme ka këto kompetenca:

1.Miraton rendin e ditës;

2. Miraton Rregullore te Punës;

3. Zgjedh Kryetarin e PDK,

4.Miraton Programin e PDK,
5. Miraton ndryshimet dhe plotësimet në Statut,
6. Miraton rezoluta,
7. Shqyrton raportin e punës dhe atë financiar të PDK midis dy konventave,
8. Zgjedh Këshillin Drejtues,
9. Shqyrton dhe merr vendime lidhur me ankesat dhe parashtresat, të cilat i paraqiten  Konventës se Përgjithshme,
 10. Zgjedh Komisionin Statutar,

Komisioni për ankesa dhe parashtresa

Neni 35

1.Me qëllim të shqyrtimit të ankesave dhe parashtresave, Konventa e Përgjithshme formon Komisionin për Parashtresa dhe Ankesa, i cili i raporton Konventës se Përgjithshme.
2.Në rast se ndonjë delegat konsideron se ankesa apo parashtresa e tij, pa të drejtë, nuk është marrë parasysh nga komisioni kompetent, ai mund t'i drejtohet Konventës se Përgjithshme me kërkesë që ta përfshijë në rend të ditës.
3. Vendimi i Konventës se Përgjithshme është përfundimtar.

 4. Komisioni përbëhet nga pesë anëtarë: 3-delegatë të Konventës se Përgjithshme dhe 2 anëtarë të Këshillit Drejtues.

5.Ankesat pranë këtij komisioni nund të drejtohen kundër vendimeve të të gjitha organeve të PDK-së.

Kryetari

Neni 36

1.Kryetari është udhëheqës i PDK që përfaqëson unitetin e të gjithë anëtarëve të PDK.

2.Kryetari zgjedhet nga konventa e përgjithshme e PDK në përputhje të nenit 34 të këtij statuti.

3.Mandati i kryetarit zgjat katër vite.

4.Për punën e tij kryetari i përgjigjet konventës së PDK.

5.Në rast mungese, apo pamundësie tjetër që kryetari të ushtrojë detyrën atë e zëvendëson zëvendëskryetari.

Kompetencat

Neni 37

Kryetari ka këto kompetenca:

1.Përfaqëson PDK në organe vendore,
2.Përfaqëson PDK në organe dhe organizma ndërkombëtarë,
3.Udhëheq punën e organeve të PDK,
4.Thërret dhe udhëheq mbledhjet e Kryesisë dhe të Këshillit Drejtues,
5.Propozon zevendeskryetarin, nënkryetarët dhe sekretarin e pergjithshem te PDK,
6.Propozon komisione dhe trupa punues për lëmenj të ndryshëm,
7.Propozon përbërjen e delegacioneve të PDK për takime brenda dhe jashtë vendit,

8.Së bashku me kryesinë jep propozimin përfundimtarë për listën e kandidatëve të PDK në parlamentin e Republikës së Kosovës.

9.Së bashku me kryesinë jep propozimin përfundimtarë për listën e kandidatëve për ministra nga radhët e PDK.

10.Së bashku me kryesinë, me akt të veçantë propozone përjashtimin nga PDK të gjithë atyre që veprojnë në kundërshtim me politikat e PDK dhe nuk i përmbahen disiplinës partiake.

11. Propozon anëtarët të kryesisë.

12.Në konsultim me Kryesinë dhe keshillin drejtues vendos të hyjë ne koalicion para ose pas zgjedhor.

13.Kryen punë të tjera, të parapara me Statut dhe rregullore.

14.Kryeson Asamblenë Kombëtare (AK).

Këshilli Drejtues-KD-ja

Neni 38

1. Këshilli Drejtues është organi me i larte i partisë në mes të dy konventave.

2.KD-ja i PDK ka 155 anëtarë dhe 10 anëtarë nga diaspora.

3.Puna dhe funksionimi i KD-së rregullohen me akt të veçantë, që miratohet nga KD-ja.

Zgjedhja e anëtarëve të KD-së

Neni 39

1.Anëtarët e KD-së zgjedhen  në sesionin zgjedhor të Konventës se Përgjithshme, me mandat 4 vjeçar siç është përcaktuar në këtë nenin 21 të statutit.

2.Propozimin për anëtarë të KD-së mund ta bëjë secili kandidat në konventë, kryesia dhe kryetari i PDK.

3. Kryetari pas konsultimit me kryesinë propozon gjysmen e kandidatëve per t’u zgjedhur ne Keshillin Drejtues.

4. Zgjedhja e anëtarëve të KD-së bëhet me votim të fshehtë,

5. Kandidatët e propozuar në listën finale të KD-së renditen në fletëvotim sipas rendit alfabetik.

6.Në rast se ka dy ose më shumë kandidatë me vota të barabarta, vendoset me short.

Mbledhjet e KD-së dhe vendimmarrja

Neni 40

1.KD-ja mban mbledhje të rregullta dhe të jashtëzakonshme.

2.Mbledhjet e rregullta të KD-së mbahen  së paku një herë në tre muaj.

3.Mbledhjet e KD-së i thërret Kryetari, kryesia dhe 1/3 e anëtarëve të KD.

4.Për mbajtjen e mbledhjes së rregullt, anëtarët e KD-së duhet të njoftohen 7 ditë përpara. Për mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të KD-së anëtarët duhet të njoftohen 2 ditë përpara.

5. Përveç anëtarëve, në mbledhjet e KD-së, me vendim të kryetarit dhe kryesisë mund të marrin pjesë kryetarët e degëve edhe kryetarët e komunave, të cilët nuk do të kenë të drejtë vote.

Humbja e statusit të anëtarit të KD-së dhe zëvendësimi

Neni 41

1.Statusi i të qenit anëtarë i KD-së së PDK humbet në këto raste:

a.Me dorëheqje,

b.Me vdekje,

c.Me përjashtim;

2. Vendimin për përjashtim e merr Keshilli Drejtues, pas konsultimit me organet kompetente statutore dhe vërtetimit për shkelje serioze të statutit dhe veprim në kundërshtim me politikat e PDK. Si dhe anëtari i cili me aktgjykim të formës së prerë është i dënuar më shumë se një vit.

3. Zëvendësimi i anëtarëve të rinj të KD-së bëhet sipas rëndithes me numr të votave në listën e votimit.

Kompetencat e KD-së

Neni 42

Kompetencat e KD-së janë:

1.Jep propozimet për Program dhe Statut të PDK,

 2.Miraton Rregulloren për punën e vet dhe planin e punës,

3.Miraton rregullore tjera në kompetencën e vet, të përcaktuara me Statut,

4.Zgjedh anëtarët e Kryesisë,

5.Zgjedh komisione, këshilla dhe trupat punuese nga lëmenj të ndryshëm, ne pajtim me statutin,

6.Miraton llogarinë përfundimtare dhe buxhetin për vitin vijues,

7.Miraton Programin dhe Platformën Zgjedhore,

8.Zgjedh Shtabin Qendror Zgjedhor të PDK,

9.Krijon fondacione sipas nevojës së PDK-së,

10.Aprovon dhe rekomandon botime për nevoja të caktuara,

11.Jep çmime,

12.Kryen pune te tjera te përcaktuara me statut,

13.Miraton listën e kandidatëve për zgjedhje,

14.Vendos për lidhjen e koalicioneve para dhe pas zgjedhore.

Kryesia

Neni 43

1.Kryesia e PDK është organ ekzekutiv dhe menaxhues i PDK.

2.Kryesia i ka së paku 25 anëtarë,

Përbërja e kryesisë dhe mandati

Neni 44

1.Kryesia përbëhet nga kryetari, zëvendëskryetari, nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm,  dhe anëtarët e tjerë.

2.Mandati i kryesisë është 4 vjeçar siç është përcaktuar në nenin 20 të këtij statuti.

Zgjedhja e anëtarëve të kryesisë

Neni 45

1. Anëtarët/et e kryesisë zgjedhen nga KD-ja me propozim të kryetarit të PDK.

2.Zgjedhja e anëtarëve të kryesisë bëhet me votim të fshehtë, përveqë se kur KD vendos ndryshe. Renditja e kandidatëve në fletëvotim bëhet sipas rendit alfabetik.

3. Konsiderohen të zgjedhur ata kandidatë që kanë fituar shumicën e votave.

4. Anëtarë sipas detyrës zyrtare të kryesisë me të drejtë vote janë edhe kryetari/ja e GDK-së dhe kryetari/ja e RDK-së.

Kompetencat e kryesisë

Neni 46

Kompetencat e kryesisë janë:

1. Së bashku me Kryetarin propozon listën e kandidatëve për zgjedhjet e nacionale dhe lokale, e cila i dorëzohet për miratim përfundimëtarë KD, në bazë të këtij statuti.
2. Menaxhon të gjitha mjetet financiare dhe pasurinë tjetër në nivel qendror.
3. Kontrollon menaxhimin e pasurisë edhe ne nivele tjera te strukturave te PDK.

5. Në rast kontesti gjyqësor, personi i i autorizuar nga Kryesia përfaqëson PDK në procedurat gjyqësore dhe jo gjyqësore.
6. Angazhohet që çdo kryesi e degëve dhe e nëndegëve t'i përmbushë detyrimet e dhënies së llogarisë publike,
7. Jep pëlqimin për raportin përfundimtar financiar që miratohet nga KD,

8.Ka të drejtën e ndërhyrjes në politikat e degëve rast se ato bllokohen dhe në caktimin e kandidaturave në rast se  kjo nuk bëhet nga ana e tyre.

9.Cakton kriteret e përfaqësimit brenda strukturave të PDK dhe seleksionon kandidaturat për poste të larta,

10. Zgjedhë anëtarët e komisionit të kontrollit financiar, dhe komisioneve disiplinore,

11. Zgjedh drejtorin e Institutit për Studime dhe Analiza (ISA), i cili propozohet nënkryetari për politika zhvillimore dhe publike,

12. Jep pëlqimin përfundimtarë për listën e kandidatëve të PDK për deputetë të Kuvendit të Kosovës,

13.Jep pëlqimin përfundimtarë për listën e kandidatëve për ministra nga radhët e PDK,

14.Jep pëlqimin për kandidaturat e PDK për keretarë komune,

15. Themelon komisionin qendror disiplinor.

Mbledhjet dhe vendimmarrja e kryesisë

Neni 47

1. Kryesia mban mbledhje të rregullta dhe të jashtëzakonshme. Mbledhja mund të mbahet nëse janë prezent më shumë se gjysma e anëtarëve.

2. Mbledhjet e kryesisë udhëhiqen nga kryetari, në rast mungese të tij nga zëvendëskryetari, nënkryetarët ose sekretari.

3. Mbledhjet e rregullta mbahen ç’do javë, dhe thirren nga kryetari dhe 1/3 e anëtarëve të kryesisë.

4. Mbledhjet e jashtëzakonshme mbahen në rast se kryetari apo 1/3 e anëtarëve e kërkojnë një gjë të tille.

5. Anëtarët e kryesisë për mbledhje të rregullta duhet të njoftohen 2 ditë përpara, kurse për ato të jashtëzakonshme 1 ditë përpara mbajtjes së mbledhjes.

6. Vendimet në kryesi merren me shumicë votash. Në rast të votave të barabarta vendos vota e kryetarit të PDK.

Zëvendëskryetari, nënkryetarët

Neni 48

1.Zëvendëkryetari ushtron detyrat e kryetarit në rast mungese të tij.

2.Nënkryetarët ushtrojnë punët dhe detyrat të përcaktuara me rregulorën për ndarjen e përgjegjësive të nenkryetëreve.

3.Për kryerjen e punës së tij sekretari i përgjigjet kryesisë së PDK.

 

 

Sekretari i përgjithshëm

Neni 49

1.Sekretari i pergjithshem i PDK  kujdeset për organizimin dhe funksionimin e përditshëm të PDK dhe është udhëheqës i administratës së PDK si dhe është zyrtari më i lartë administrativ në PDK.

2.Kompetencat e Sekretarit të përgjithëshëm janë:

1.      Organizon dhe udhëheq Zyrën Qendrore të PDK.

2.      Bashkë me zëvendëskryetarin bën koordinimin e punëve me degët e PDK.

3.      Kujdeset dhe është përgjegjës për zbatimin e vendimeve të Kryetarit, Kryesisë, Këshillit Drejtues dhe Komisioneve.

4.      Me pëlqimin e kryetarit të PDK i paraqet Kryesisë propozimin e vendimit për organizimin e Admnistratës Qendrore dhe kujdeset për ligjshmërinë e punës së saj.

5.      Harmonizon punën e trupave të punës të PDK.

6.      Përgatitë dhe kujdeset për mbarëvajtjen e takimeve të organeve të PDK Ndihmon kryetarët/et e organeve të partisë në thirrjen e mbledhjeve dhe organizimin e punës.

7.      Kryen edhe punë tjera ne harmoni me Statutin e PDK dhe punë të cilat i besohen nga kryetari dhe organet ekzekutive të Partisë.

8.      Mban kontakte të rregullta me KQZ-në.

 

Neni 50

Komisioni për Burime Njerëzore-KBN

1.Në kuadër të kryesisë së PDK funksionon komisioni për burime njerëzore, që ka për qëllim udhëheqjen e politikës kadrovike brenda PDK.

2.KBN udhëhiqet nga zëvendëskryetari i PDK dhe ka në përbërjen e tij nënkryetarët, sekretarin.

3.Kompetencat e KBN-së janë:

a.I propozon kresisë kandidaturat për anëtarë të Qeverisë,

b.I propozon kryesisë listën e kandidatëve për deputetë të kuvendit të Republikës së Kosovës,

c.I propozon kryesisë listën e kandidatëve për kryetarë të komunave,

d.I propozon kryesisë anëtarë të tjerë në funksione shtetërore dhe funksione të tjera publike.

Asambleja Kombëtare-AK-ja

Neni 51

1.AK-ja është organ konsultativ dhe gjithëpërfshirës i PDK që krijon dhe analizon politikat strategjike.

2.AK-ja ka këto kompetenca:

a.Diskuton politikat e përgjithësime të PDK,

b. Sugjeron organeve vendimmarrëse të PDK propozime për politikat e jashtme dhe të brendshme,

c.Jep sugjerime të përgjithshme për përfaqësimin e politikave të PDK në organet shtetërore,  

d.Debaton për zhvillimet politike në vend dhe nxjerr konkluzione,

e.Harton strategji dhe dokumente të tjera këshillëdhënëse për nevojat e PDK.

Anëtarësia e AK-së

Neni 52

1.Përbërja e AK-së është fikse dhe nuk kalon përmes procesit zgjedhor.

2.AK-ja përbëhet nga:

a.Themeluesit e PDK,

b.Anëtarët dhe ish-anëtarët e kryesisë qendrore të PDK,

c.Anëtarët e KD-së,

d.Ish-anëtarët e KD-së,

e.Deputetët dhe ish-deputetët nga radhën e PDK,

f.Ministrat dhe ish ministrat nga radhët e PDK,

g.Kryetarët dhe ish-kryetarët e komunave,

h.Përfaqësues nga të gjitha degët e PDK në diasporë,

i.Personalitete të shquara që kanë dhënë kontribut për PDK.

3. AK udhëhiqet nga kryetari i PDK.

Mbledhjet e AK-së

Neni 53

1.Mbledhjet e rregullta AK-ja i mban së paku 1 herë ne vit.

2.Puna e AK-së organizohet me rregullore të veçantë e cila nxjerrët nga kryesia e PDK-së.

Grupi parlamentar

Neni 54

1.Grupi parlamentar i PDK përbëhet nga deputetët që  përfaqësojnë PDK-në në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

2.Grupi parlamentar përfaqëson dhe mbron platformën e PDK në kuvendin e Republikës së Kosovës.

3.Vendos për ndarjen e deputetëve të PDK në komisionet e kuvendit.

4. Deputetet e PDK jane te detyruar te zbatojne vendimet e GP dhe te Kryesise se PDK.

5. Puna dhe organizimi i GP përcaktohet  me rregullore të veçantë.

 

Kapitulli V

Organet tjera të PDK

Organet tjera

Neni 55

1.Organet e tjera të PDKjanë:

a.Komisioni i Kontrollit Financiar,

b.Rinia Demokratike-RD,

c.Gruaja Demokratike,

d.Komisionet disiplinore,

e.Komisioni statutar,

f.Instituti për studime dhe analiza (ISA),

g.Kolegjiumi i kryetarëve të degëve (KKD),

h. Kolegjiumi i ekspertëve,

i. Kabineti i qeverisjes së mirë,

j. Shtabi Qendror  Zgjedhor;

k.Grupet e përkrahësve të PDK”.

Komisioni i Kontrollit Financiar

Neni 56

1.Për kontrollin e aspekteve financiare të të gjithave strukturave drejtuese dhe të sektorëve të administratës të PDK, si dhe për shqyrtimin e ankesave, Konventa e përgjithshme zgjedh komisionin e kontrollit sipas këtij statuti.
2.Në rast të konfliktit të interesit të ndonjë anëtari te Komisionit, i njëjti nuk mund të merr pjesë ne shqyrtimin e çështjes së caktuar.

3. Zgjedhja e anëtarëve të Komisionit të kontrollit bëhet me votime të fshehta të shumicës së të pranishmëve.
4.Në rast të numrit të njëjtë të votave, vendoset me short.
5.Për drejtimin e punës, Komisioni i Kontrollit zgjedh Kryetarin nga radhët e veta.
6.Kontrolli behet të paktën një herë në vit dhe sipas nevojës.
7.Të gjitha dërgesat për Komisionin e kontrollit i drejtohen kryetarit të Komisionit,
8.Me kërkesën e Komisionit të Kontrollit apo të Kryesisë, mund të mbahen mbledhje të përbashkëta.
9.Komisioni i Kontrollit është i obliguar t'i kryejë detyrat e revizionit sipas Rregullores mbi Afarizmin Financiar të PDK-së, e cila nxjerrët nga KD.

10. Kujdeset per proceset e auditimit te buxhetit te partise dhe ndermer masa per zbatimin e rekomantimeve te raporteve vjetore te auditimit.

 

 

Rinia Deokratike-RD dhe Gruaja Demokratike-DK

Neni 57

1.Si organe të PDK funksionojnë edhe RD dhe DK të cilët kanë për qëllim të Promovojnë idetë, vlerat dhe vizionin e PDK në grupet shoqërore në të cilat veprojnë.

2.Puna e RD dhe DK rregullohet me rregullore të veçanta të ndara, të cilat miratohen nga kryesia e PDK.

 

Komisionet disiplinore

Neni 58

1. Komisionet e disiplinore formohen ne qendër nga kryesia e PDK dhe nëpër degë nga kryesia e degës për zgjedhjen e kontesteve.
2.Anëtarët e Komisionit Disiplinor zgjedhën nga kryesia qendrore dhe kryesia e degës për komisionet e degëve përkatëse.
3.Fushëveprimi dhe procedura e Komisionit të Disiplinor përkatës rregullohet me rregullore të veçantë, të cilën e nxjerr kryesia.
4.Për raste të veqanta themelohen më shumë komisione, kompetencat e të cilave vlejnë për raste të caktuara.
5.Në Komisionin disiplinor përkatës zgjedhet një kryetar, një zëvendëskryetar dhe katër anëtarë.


Komisioni Statutar

Neni 59
1.Komisioni statutar është organi përfundimtar për interpretimin e statutit të PDK.

2.Vendimi i komisionit statutar për interpretim të statutit është përfundimtarë.

4.Anëtarët e komisionit statutar që janë 7 zgjedhën nga KD, me votim të fshehtë, pas propozimit të listës përfundimtare e cila bëhet nga KD.

5.Komisini statutar merr vendime me shumicë të thjeshtë dhe mban mbledhje, sipas nevojës dhe pas paraqitjes së rasteve për interpretim të statutit.

6.Mënyra e punës dhe procedurat e të funksionimit të këtij komisioni rregullohen me vendim të veçantë i cili nxjerrët nga KD.

Instituti për Studime dhe Analiza-ISA

Neni 60

1.ISA është organ brenda PDK i cili merret me studime dhe analiza politike për nevoja të PDK.

2.Fushëveprimin dhe punën e ISA e mbikëqyrë dhe udheheqë nenkryetari për politika zhvillimore dhe publike.

3.ISA është e obliguar që të organizojë forume, tryeza, debate, trajnime, konferenca, të paraqesë studime dhe bëjë hulumtime për gjendjen politike, qeverisjen dhe aspektet e tjera dhe të njëjtat ti vejë në shërbim të PDK.

3.ISA udhëhiqet nga drejtori/ja i saj i cili emërohet nga kryesia me vendim të veçantë.

4. PDK do të angazhojnë në ISA edhe ekspertë që nuk janë anëtarë të PDK.

5.Angazhimi administratës në ISA, mënyra e punës dhe detajet e tjera, rregullohen me vendim të veçantë i cili nxjerrët nga kryesia e PDK.

6.Përgjegjës për mbarëvajtjen e punëve në baza ditore të ISA është drejtori/ja i saj.

 

Kolegjiumi i kryetarëve të degëve-KKD

Neni 61

1.KKD është organ këshillëdhënës i cili përbëhet nga kryetarët e të gjitha degëve të PDK.

2.KKD  angazhohet që të unifikojë dhe koordinoj politikën e degëve të PDK.

3.KKD mban takime të rregullta ç’do muaji rendin e ditës për mbledhje e përcakton Kryesia e PDK.

4.Mbledhjet e KKD i thërret dhe i kryeson nënkryetari organizativ dhe sekretari i përgjithëshem i PDK.

5.Për punën e saj KKD i raporton kryesisë së PDK përmes sekretarit të saj.

Neni 61

Kabineti i qeverisjes së mirë

1.Gjatë kohës që PDK është në opozitë krijon kabinetin e qeverisjes së mire.

2.Puna e këtij organi përcaktohet me rregullore të veçantë e cila nxjerrët nga KD-ja.

Neni 63

Shtabi qendror zgjedhor

Shtabi qendror zgjedhor zgjedhët nga Kryesia e PDK.
Shtabi qendror zgjedhor udhëheq të gjitha veprimet elektorale për zgjedhjet lokale dhe ato të nacionale.
Puna e shtabit zgjedhor udhëheqet nga njëri prej anëtarëve të kryesisë.
Puna, organizimi dhe fushëveprimi i Shtabit qendror zgjedhor përcaktohet me rregullore të veçante.
Grupet e përkrahësve të PDK

Neni 64

1.PDK ka grupet e vullnetarëve që përbëhen nga simpatizantët anëtarë dhe jo anarë të saj të cilat veprojnë në funksion të realizimit të qëllimit dhe vizionit të PDK.

2.Përmes punës së tyre grupet e vullnetërëve të PDK, angazhohen në dinamizmin dhe funksionalizimin e aktiviteteve të PDK në baza ditore.

3.Grupet e vullnetarëve funksionojnë nën mbikëqyrjen e nënkryetarit për politika zhvillimore dhe publike.

4.Mënyra e punës dhe aktivitetet e grupëve vullnetare i përcakton nënkryetari për politika zhvillimore dhe publike, në kuadër të fushëveprimtarisë së tij të përcaktuar me rregullore të veqantë.

 

Kapitulli VI

Disiplina partiake dhe mënyra e votimit

Disiplina

Neni 65

1.Të gjithë anëtarët e PDK, përfshirë edha ata që janë në pozita të larta udhëheqëse brenda PDK, të cilët shkelin statutin, vendimet e organeve të PDK, programin, devijojnë nga politika e PDK ose në ndonjë formë tjetër shkelin parimet dhe vlerat e PDK, ndaj tyre shqiptohen masa disiplinore.

2.Në rast të vërtetimit të ndonjërës prej shkeljeve nga pika 1 merren këto masa disiplinore:

a.Vërejtja verbale,

b.Qortimi,

c.Marrja e përkohshme e funksionit,

d.Marrja e funksionit,

e.Përjashtimi i përkohshëm nga PDK,

f.Përjashtimi nga PDK.

Procedura disiplinore

Neni 66

1.Procedurën disiplinore ndaj çdo anëtari apo anëtare që është në pozita udhëheqëse të PDK iniciohet nga ana e secilit organ të PDK i cili e ka vërejtur shkeljen disiplinore.

2.Rastin për shkelje disiplinore e shqyrton komisioni qendror disiplinor ose komisionet disiplinore të degëve, të cilët brenda 15 ditësh nga momenti i pranimit të kërkesës duhet të vendosë për rastin.

3.Nëse pala përkatëse nuk është e kënaqur me vendimin, brenda afatit prej 8 ditësh vendimin e komisionit qendror disiplinor ose komisioneve  të degëve vendimin mund ta apelojë pranë komisionit statutar.

4.Vendimin e marrë nga komisioni statutar mund ta ndryshojë vetëm konventa e përgjithshme e PDK.

5.Kryetari së bashku me kryesinë e PDK, me vendim të veçantë, jashtë procedurave disiplinore, mund të përjashtojnë nga PDK secilin zyrtar që është në funksione të larta në PDK, qeveri ose kuvend, nëse konsiderojë se ai vepron në kundërshtim me politikat e PDK.

6.Procedura dhe shqyrtimi disiplinor rregullohet me akt të veçantë i cili miratohet nga KD.

Kapitulli VII

Procesi zgjedhor dhe financimi i PDK

Procesi zgjedhor

Neni 67

1.Zgjedhjet në PDK i shpall kryesia.

2.Kryesia, me qëllim të organizimit sa më të mirë të zgjedhjeve cakton koordinator të procesit zgjedhorë njërin prej nënkryetarëve të saj.

3.Të gjitha organet e PDK i nënshtrohen procesit zgjedhor çdo katër vite.

4.Zgjedhjet mbahen në raunde të ndara, fillimisht për organet lokale, pastaj për ato qendrore dhe organet e tjera, siç është paraparë me këtë statut.

5.Në rast se në cilindo organ të PDK-së, kandidat potencial kanë vota të barabarta, atëherë fati i tyre vendoset me short. Shorti është publik dhe transparent, si dhe zhvillohet pranë organit përkatës.

6.Në rast të pretendimeve dhe ankesave për parregullsi në procesin zgjedhor të PDK-së, vendos komisioni statutar i PDK-së.

7. Pas perfundimit te zgjedhjeve ne nivel lokal dhe ate qendror ne afat prej 45 diteve duhet te zgjedhen te gjitha organet e parapare me kete statut.

8.Të gjitha aspektet e tjera që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor në PDK, parashihen me një rregullore të veçantë e cila miratohet nga KD-ja, përveç nëse nuk është paraparë ndryshe me statut.

Financimi dhe kompensimet

Neni 68

1.PDK-ja financohet nga:

a.Mjetet e mbledhura nga anëtarësia e PDK-së,

b.Buxheti i Republikës së Kosovës, sipas ligjit në fuqi,

c.Donacionet nga donatorë të ndryshëm.

2.Raportet financiare dhe mënyra e financimit bëhen publike për anëtarët e KD dhe kryesisë. Raporti përfundimtarë për financimin e PDK miratohet nga kryesia qendrore. Kompetent për të kontrolluar financat e PDK është komisioni i kontrollit financiar siç është përcaktuar me këtë statut.

3.Mënyra, kushtet dhe aspektet tjera të kompensimit brenda PDK, caktohen me vendim të veçantë që e nxjerr kryesia qendrore.

4.Adminsitrimin e buxhetit të PDK e ben sekretari i përgjithëshëm i PDK, i cili e njofton kryesonë e PDK për gjendjen financiare q’do 3 muaj.

Kapitulli VIII

Dispozitat e tjera

Informimi

Neni 69

1 Anëtarët e PDK kanë të drejtë të informohen në mënyrë objektive dhe me kohë për vendimet e të gjitha organeve drejtuese.
2.Informimi i anëtarëve të PDK bëhet nëpërmjet formave te brendshme të informimit si dhe organit të PDK-së, në të cilin publikohen vendimet, qëndrimet, të marra nga organet drejtuese në të gjitha nivelet.
3.Është obligim i Degëve të PDKqë në afat prej tri ditësh ta informojnë Zyrën Qendrore te Informimit dhe Redaksinë e organit për vendimet e marra nga seksionet dhe nëndegët.
4.Çështja e organizimit dhe funksionimit te informimit rregullohen me Rregulloren për Informim, të cilën e miraton Këshilli Drejtues.

Shërbimi administrativ

Neni 70

1.Për punët e përditshme PDK-ja angazhon staf administrativ, si në qendër ashtu edhe në nivel lokal.

2.Angazhimi paragrafi 1, si dhe mënyrat e kompensimit, bëhen nga kryesia e PDK, varësisht nga mundësitë buxhetore.

Detyrimet pasurore

Neni 71

1.PDK-ja nuk mund të marrë përsipër detyrime, sipas të cilave anëtaret e saj  të përgjigjen me pasuri personale.

2.Për detyrime ligjore të PDK, përgjegjëse është vetëm ajo.

Dokumentimi i vendimeve

Neni 72

1.Të gjitha vendimet e organeve të PDK protokolohen dhe arkivohen në arkivën  e PDK.

Kapitulli IX

Dispozitat përfundimtare

Amendamentimi i statutit

Neni 73

1.Amendamentimi i statutit mund të bëhet nga Konventa e Përgjithshme e PDK, me 2/3 e votave të saj.

2.Propozues të amendamenteve në statut janë:

a.Kryetari,

b.Kreyesia,

c.KD-ja,

d.1/3 e anëtarëve të konventës,

e.Komisioni Statutar.

Interpretimi i statutit

Neni 74

1.Në rast se paraqitet vështirësi në zbatimin në praktikë të një dispozite të statutit, interpretimi i komisionit statutar është përfundimtar dhe i obligueshëm për të gjitha organet e PDK.

Tranzicioni dhe rregulloret e reja

Neni 75

1.Në bazë të këtij statuti, themelohen organet e reja dhe bëhet bartja e kompetencave dhe riorganizimi i organeve të PDK-së.

2.Kryesia e PDK cakton një komision ad hoc, për hartimin e rregulloreve të reja që dalin pas miratimit të statutit të ri.

3.Tranzicioni i organeve dhe hartimi i rregulloreve duhet të bëhet në së largu në afat prej gjashtë muajsh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij statuti.

4.Obligohet kryesia e PDK që brenda 30 ditëve të botojë tekstin origjinal të statutit dhe ta publikojë atë.

Hyrja në fuqi

Neni 76

1.Ky statut hyn në fuqi ditën e miratimit nga Konventa e Përgjithësime e PDK-së.

 

Prishtinë  27 Janar 2013,

Hashim Thaçi

Kryetar i PDK-së